Çfarë është kisti sinovial?
Kisti sinovial, i quajtur ndryshe kist ganglionik, është një qeskë e mbushur me lëng sinovial. Lëngun është i njëjti që ndodhet normalisht brenda nyjeve dhe rreth tendinave. Ky lëng shërben për lubrifikimin dhe lehtësimin e lëvizjes së nyjeve.
Kisti krijohet kur një pjesë e lëngut sinovial del jashtë kapsulës së nyjës ose mbështjellësit të tendinës dhe grumbullohet duke formuar një qese të vogël nën lëkurë.
Këto kiste janë beninje (jo kancerogjen).
Ku shfaqet më shpesh?
Kistet sinoviale mund të shfaqen në çdo nyjë, por më shpesh vërehen në:
- Kyçin e dorës (sidomos në pjesën e përparme apo të pasme)
- Gishtat e dorës
- Kyçin e këmbës dhe shputën e këmbës
- Dhe rrallëherë në gju ose shpatull
Madhësia e kistit mund të ndryshojë nga dita në ditë dhe shpesh rritet gjatë aktivitetit fizik.
Pse formohet kisti sinovial?
Shkaku i saktë nuk dihet gjithmonë, por faktorët që lidhen me shfaqjen e tij përfshijnë:
- Lëvizje të përsëritura dhe mikrotrauma të vazhdueshme të nyjeve
- Degjenerim të kapsulës artikulare nga sëmundje inflamatore të nyjeve (më rrallë)
Kisti mund të shfaqet si te të rinjtë ashtu edhe te të rriturit.
Shenjat dhe simptomat
Simptomat ndryshojnë nga një person te tjetri.
Në shumicën e rasteve, kisti sinovial nuk shkakton asnjë shqetësim.
Simptomat më të zakonshme janë:
- Fryrje dhe masë e rrumbullakët e dukshme nën lëkurë
- Kisti është elastik dhe i butë dhe mund të ndryshojë në madhësi
- Dhimbje dhe ndjesi presioni gjatë lëvizjes
- Mpirje apo ndjesi shpimi gjilpërash (kur shtyp nervat)
Si vendoset diagnoza?
Diagnoza është zakonisht e thjeshtë dhe bazohet në:
🔹 Ekzaminimin klinik
Mjeku vlerëson madhësinë, formën, lëvizshmërinë dhe ndjeshmërinë e kistit.
🔹 Ekografia
Konfirmon se masa është e mbushur me lëng dhe jo solide.
🔹 Rezonanca Magnetike (MRI)
Përdoret në raste të dyshimta ose kur kisti është i thellë.
🔹 Radiografia (Rreze X)
Nuk e tregon kistin, por ndihmon për të përjashtuar probleme kockore.
A është i rrezikshëm kisti sinovial?
Kisti sinovial nuk është i rrezikshëm, nuk është kancer, nuk përhapet dhe nuk rrezikon jetën.
Megjithatë, nëse shkakton dhimbje, kufizim të lëvizjes ose shtyp nervat, mund të ndikojë në cilësinë e jetës.
Parandalimi
Nuk ka një mënyrë absolute për parandalim, por rekomandohet:
- Shmangia e lëvizjeve të përsëritura për periudha të gjata
- Pushime të shpeshta gjatë punës manuale
- Ushtrime për forcimin e nyjeve
- Mbajtja e pozicionit korrekt të dorës/këmbës
- Përdorimi i mbajtëseve ortopedike kur ka mbingarkesë
Mënyrat e trajtimit
- Vëzhgimi
Nëse kisti nuk shkakton dhimbje:
- Nuk kërkohet trajtim
- Shumë kiste zhduken vetë
- Trajtimi konservativ
- Pushim dhe medikamente kundër dhimbjes
- Fashaturë elastike apo mbajtëse ortopedike (splint)
- Aspirimi (zbrazja me gjilpërë)
- Lehtëson simptomat por ka rrezik rikthimi
- Trajtimi kirurgjikal
Rekomandohet kur:
- Dhimbja është e vazhdueshme dhe ka shtypje nervore
- Kisti ripërsëritet shpesh
Operacioni heq kistin dhe bazën e tij, duke ulur ndjeshëm rrezikun e rikthimit.
Kur duhet të vizitoni mjekun?
- Nëse kisti rritet shpejt
- Nëse dhimbja përkeqësohet
- Nëse shfaqet mpirje ose dobësi
- Nëse kufizohet lëvizja e nyjës
Si përfundim
Kisti sinovial është një gjendje e shpeshtë dhe zakonisht e padëmshme.
Me vlerësim të saktë dhe trajtim të përshtatshëm, shumica e pacientëve kanë ecuri shumë të mirë dhe pa komplikacione.

