Çfarë është ligamenti kruciat?
Në gjurin tonë ndodhen katër ligamente të rëndësishme që ndihmojnë ta mbajnë atë të stabilizuar 2 prej tyre jashte gjurit në të dy anët e tij, dhe 2 prej tyre brenda tij. Këta ligamente janë si “litarë” që lidhin kockat e gjurit me njëra-tjetrën dhe ndalojnë gjurin të dalë nga vendi dhe të jetë i stabilizur gjatë lëvizjes.
Ligamenti kruciat përparmë ose anterior në gjuhën mjekësore (LKA) është ligamenti që dëmtohet më shpesh nga të gjithë, i ngjyrosur me blu ne foton e mëposhtme.
Si ndodh dëmtimi?
Ligamenti kruciat mund të dëmtohet:
- gjatë sportit si futbolli, basketbolli, ski apo volejbolli,
- kur bëhen kthesa të menjëhershme mbi gju ose rrëzohesh pas një kërcimi;
- pas një aksidenti rrugor ose goditjeje të fortë në gju.
Dëmtimi mund të jetë këputje e pjesshme ose e plotë e ligamentit, dhe në momentin e dëmtimit zakonisht ndodh:
- një kërcitje dhe dhimbje e menjëhershme
- ënjtje brenda dhe vështirësi për të ecur ose përkulur gjurin,
- në vijim duket sikur “gjuri del nga vendi” gjatë lëvizjes.
Dëmtimi kuptohet me një vizitë tek mjeku ortoped nëprmjet vizitës me disa teste praktike të stabilitetit të gjurit por sidoqofte dëmtimi duhet konfirmuar me rezonancë magnetike (MRI), që tregon ligamentin e këputur por edhe dëmtime të tjera të mundshme si carjet e meniskut.
Trajtimi
Trajtimi varet nga sa i rëndë është dëmtimi dhe nga niveli i aktivitetit të personit.
Dëmtimet e pjesshme mund të shërohen per 3 deri 6 jave me:
- Pushim, të ftohta dhe ngritje të këmbës lart
- Fizioterapi për forcimin e muskujve dhe mbajtëse gjunjëz për stabilitet.
Dëmtimet e rënda (këputje totale):
- Rekomandohet operacion (rikonstruksion) i ligamentit
- pas operacionit nevojiten 6 deri 8 jave per rikthim ne aktivitetin normal ditor dhe te pakten 6 muaj për rikthim në aktivitete sportive profesionale
Çfarë ndodh nëse nuk trajtohet?
Nëse ligamenti i dëmtuar nuk trajtohet siç duhet, gjuri mund të mbetet i paqëndrueshëm. Kjo mund të shkaktojë dëmtime të tjera në gju dhe hap rrugën për artrozë të parakohshme në të ardhmen.

