
Dhimbjet e kofshës, Trajtimi
Dhimbja e kofshës te të rriturit mund të lindë nga shumë probleme të kockave, kërcit, muskujve, tendinave, ose ligamenteve që formojnë artikulacionin koksofemoral. Të moshuarit më shpesh përjetojnë dhimbje që lidhen me ndryshimet degjenerative si artriti.
Shkaqet e dhimbjeve të kofshës
Dhimbjet e kofshës që janë të lehta dhe të përkohshme mund të shfaqen te njerëzit e të gjitha moshave dhe janë pasojë e mbipërdorimit të muskujve ose tendinave, për shembull gjatë stërvitjes me pesha ose gjatë sporteve. Te të moshuarit ndryshimet degjenerative të kërcit shkaktojnë dhimbje graduale që vjen duke u përkeqësuar dhe zgjat më shumë në kohë.
Anatomia e kofshës
Artikulacioni i kofshës (koksofemoral) ka formë sferike dhe përbëhet nga:
- Koka e femurit (kocka e gjatë e kofshës) e cila është sferike
- Acetabuli (kupa), e cila është si një “fole” në pjesën e pelvisit (legenit
Koka e femurit dhe acetabuli janë të veshura nga një shtrese mbrojtëse e kërcit që bën të mundur lëvizjet e lirshme dhe pa dhimbje në të gjitha drejtimet.
Ku e ndjeni dhimbjen e kofshës?
Vendndodhja e dhimbjes së kofshës na jep informacion në lidhje me problemin e mundshëm. Për shembull, te të moshuarit, dhimbja në pjesën përpara kofshës ose në “rrëzë” të kofshës sugjeron praninë e artritit/artrozës. Dhimbja në pjesën e jashtëme të kofshës mund të jetë pasojë e bursitit-inflamacionit të bursës (një hapësirë e mbushur me lëng sinovial) përreth kofshës.
Dhimbja që shfaqet në pjesën e pasme të kofshës zakonisht është pasojë e një problemi në shtyllën kurrizore.
Cilat sëmundje shkaktojnë dhimbje të kofshës
Dhimbjet e lehta dhe të përkohshmë të kofshës mund të shfaqen te individë të cdo moshe dhe janë pasojë e mbipërdorimit, për shembull, gjatë stërvitjes me pesha ose nga sportet. Dhimbja e e kofshës e cila është e vazhdueshme mund të shkaktohet nga disa sëmundje. Më të shpeshtat janë:
- Osteoartriti (koksartroza)
- Nekroza Avaskulare e kokës së femurit
- Sëmundjet e shtyllës kurrizore
Osteoartriti (koksartroza)
Te pacientët e moshës 50 – 70 vjec, apo edhe më të moshuar, osteoartriti i kofshës, është shkaku me i shpeshtë i dhimbjes. Osteoartriti shfaqet kur kërci që mbështjell kockat e kofshës dëmtohet nga ndryshimet e moshës ose nga ndonjë dëmtim traumatik. Dhimbja shfaqet kur dëmtimi i kërcit sjelle kontaktin “kockë me kockë”. Pacientët me osteoartrit ndjejnë një ngurtësim dhe dhimbje në pjesën e përparme të kofshës dhe të rrëzës së kofshës.
Në raste më të rralla, njerëzve të cdo moshe mund tu shfaqet artriti inflamator (rheumatizmal), që mund të prekë edhe artikulacionin e kofshës dhe të japë dhimbje dhe ngurtësim.
Nekroza avaskulare e kokës së femurit
Nekroza avaskulare (ose “vdekja e kockës”) është një shkak më i rrallë i dhimbjes se kofshës dhe ndodh kur furnizimi me gjak e kokës së femurit është i dobët ose mungon, gjë që shkakton dëmtimin e kockës (zbutjen) dhe “shembjen” (shtypjen ose deformimin) e kokës së femurit. Te fëmijët nekroza e kokës së femurit mund të shfaqet pas një sëmundje të rrallë që quhet Legg Calve Perthes.
Dhimbja e kofshës që shkaktohet nga problemet e shtyllës kurrizore
Shembulli më i zakonshëm kur dhimbja që ndjehet në kofshë e ka burimin te shtylla kurrizore është ajo që quhet dhimbja shiatike, e cila shkaktohet nga hernia diskale ose stenoza spinale (ngushtimi i kanalit të shtyllës kurrizore). Këto sëmundje shkaktojnë shtypjen e nervave në shtyllën kurrizore, te pjesa e mesit, duke shkaktuar dhimbje e cila përhapet drejt kofshës si edhe drejt kërcirit dhe gishtave të këmbës.
Kur duhet të bëni vizitë me mjekun për dhimbjet e kofshës
Njerëzit që kanë dhimbje të lehta të kofshës mund të qetësohen me qetësues të cilët mund të merren në farmaci pa recetë mjeku, me pushim, me vendosje të akullit në pjesën e kofshës dhe mund të mos kenë nevojë për trajtim të mëtejshëm. Ndërsa ata që vuajnë nga dhimbje të cilat rëndohen ose që shfaqen gjatë ecjes duhet të kryejnë vizitë me mjekun.
Bëni një vizite te mjeku ortoped në qoftë se:
- Keni dhimbje të qëndrueshme ose të përsëritur të kofshës
- Keni dhimbje kur kryeni sporte, për shembull vrapimi
- Kur keni humbur lëvizshmërinë e kofshës
- Kur dhimbja e kofshës ju zgjon nga gjumi
Në cilat raste nevojtet trajtim kirurgjikal për dhimbje e kofshës?
Shumë probleme të kofshës nuk kanë nevojë për operacion dhe mund të përmirësohen me trajtime konservative si fizioterapia, medikamentet qetësuese si ibuprofeni, injeksionet ose injeksionet me kortizon.
Cili mjek kryen operacionin për kofshën?
Ndërhyrjet kirurgjikale të kofshës kryhen nga kirurgu ortoped (ortopedi).

