


Dhimbjet e gjurit
Dhimbjet e gjurit
Dhimbja e gjurit është shumë e shpeshtë. Në qoftë se gjuri juaj ju shqetëson dhe ju pengon të kryeni aktivitetet tuaja të preferuara atëherë mund të lexoni më poshtë për shkaqet e mundshme dhe kur është e nevojshme të bëhet një vizitë me mjekun.
Anatomia e gjurit
Gjuri është një artikulacion i ndërlikuar i përbërë nga tre kocka:
– Femuri (kocka e kofshës)
– Patela (kupa e gjurit)
– Tibia (kocka e kërcirit)
Sipërfaqet me të cilat këto tre kocka takohen me njëra tjetrën për të formuar artikulacionin e gjurit janë të veshura nga kërci. Indi kërcor në brendësi të gjurit merre forma të ndryshme, që janë kërci artikular i cili mbështjell sipërfaqet e kockave dhe menisqet. Gjuri ka dy menisqe të cilat kanë formë disku ose gjysmëhëne dhe kanë përbërje fibroze-kërcore. Menisqet gjenden midis femurit dhe tibias dhe luajnë rolin e një amortizuese të goditjeve.
Gjuri stabilizohet nga kater ligamente kryesore:
– Ligamenti kruciat anterior (ACL)
– Ligamenti kruciat posterior (PCL)
– Ligamenti kolateral medial (nga pjesa e brendshme e gjurit)
– Ligamenti kolateral lateral (nga pjesa e jashtme e gjurit)
Levizja e gjurit mundësohet nga disa tendina dhe muskuj. Nga këta tendina e muskulit kuadriceps dhe tendina patelare preken më shpesh nga dëmtimet.
Llojet e dhimbjeve të gjurit
Dhimbja akute e gjurit
Dhimbja akute është një dhimbje e papritur e gjurit që shfaqet pas një traume, si për shembull gjatë sporteve, një rrëzimi ose aksidenti. Shembuj të dhimbjeve akute të gjurit janë këputjet e ACL ose dëmtimet e meniskut.
Dhimbja kronike e gjurit
Kjo dhimbje ka kohëzgjatje disa mujore. Dhimbja mund të përkeqësohet me kalimin e kohës. Dhimbja kronike mund të shkaktohet nga artriti.
Në cilën pjesë ju dhemb gjuri?
Artriti i gjurit – qoftë osteoartriti ose artriti rheumatoid – mund të prekë të dyja anët e gjurit ose pjesën e përparme të gjurit.
Dhimbja në pjesën e pasme të gjurit
Një shkak i shpeshtë i dhimbjes në pjesën e pasme të gjurit është mbingarkesa e muskujve ose tendinave nga aktivitetet si vrapimi ose ciklizmi. Një tjetër shkak i dhimbjes nga pas gjurit është kisti i Baker, i cili është një hapësirë e mbushur me lëng në pjesën e pasme të gjurit pas një dëmtimi. Në shumë raste kisti i Baker lidhet me sasinë e shtuar të lëngut brenda gjurit që shkaktohet nga osteoartriti. Në raste më të rralla dhimbja në pjesën e pasme të gjurit mund të shkaktohet nga tromboza e venave të thella.
Dhimbja në pjesën e brendshe të gjurit (mediale)
Dhimbja në pjesën e brendshme të gjurit mund të jetë rezultat i dëmtimit të ligamentit kolateral medial (MCL), për shembull pas një “ndrydhje” të gjurit. Osteoartriti i gjurit prek më shpesh pjesën e brendshme të gjurit dhe shkakton dhimbje në këtë vendndodhje.
Dhimbja e kupës së gjurit (dhimbja në pjesën e përparme)
Një goditje në pjesën e përparme të gjurit (ose një rrezim mbi kupën e gjurit) mund të shkaktojë dhimbje, por në shumicën e rasteve dhimbja në pjesën e përparme është pasojë e problemeve që krijohen në artikulacionin patelofemoral (midis kupës së gjurit dhe femurit). Kjo dhimbje quhet sindroma e dhimbjes patelofemorale dhe mund të shkaktohet nga mbingarkesa nga sportet si vrapimi, ngjitja e shkallëve ose ushtrimet në palestër.
Dhimbja në pjesën e jashtme të gjurit (laterale)
Dhimbja në pjesën e jashtëme të gjurit shpesh shkaktohet nga sindroma e bandës iliotibiale. Në këtë sindromë një shirit i trashë indi lidhor që fillon nga pjesa e legenit dhe përfundon te pjesa e jashtëme e gjurit, irritohet ose majiset. Kjo sindromë shkaktohet shpesh nga vrapimi ose ciklizmi.
Enjtja e gjurit (Më ka mbledhur ujë gjuri)
Enjtja e gjurit mund të shkaktohet nga problemet akute ose kronike. Enjtja pas një dëmtimi akut (si për shembull një rrezim ose në përdredhje) mund të tregojë një dëmtim më serioz, si për shembull këputja e një ligamenti ose një frakturë (thyerje). Artritet e gjurit, që përfshijnë osteoartritin dhe artritin rheumatoid mund të shkaktojnë enjtje të gjurit. Enjtja shkaktohet nga shtimi i sasisë së lengut sinovial të gjurit (normalisht artikulacioni i gjurit mund të mbajë deri në 4 ml lëng sinovial). Enjtjet që janë të lokalizuara dhe jo të përhapura mund të jenë pasojë e kisteve sinoviale ose meniskale.
Në cilat raste duhet bërë një vizitë me mjekun për dhimbje të gjurit
Kur trajtimet shtëpiake ose medikamentet pa recete mjekësore nuk e përmirësojnë dhimbjen, atëherë rekomandohet vizita me mjekun ortoped.
Duke qënë një nga artikulacionet më të rëndësishëm por edhe të komplikuar të trupit mund të vijnë nga shumë arsye dhe dëmtime në shumë struktura në kockë, menisqe, ligamente etj.
Dhimbjet e gjurit kërkojnë një vizitë dhe vlerësim të detajuar nga ne, për të përcaktuar arsyet që mund të jenë shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Dhe sigurisht në përgjithësi ka nevojë për ekzaminime të avancuara me grafi, rezonancë etj.

