Çfarë është sindroma e tunelit karpal?
Sindroma e tunelit karpal ndodh kur nervi median, i cili kalon nëpër kyçin e dorës përmes një kanali të ngushtë shtypet. Çdo problem që shkakton ngushtimin e këtij kanali, që quhet tuneli karpal, ku kalon nervi shkakton këtë sindromë.
Ky nerv është përgjegjës për ndjeshmërinë dhe lëvizjen e disa gishtërinjve të dorës.
Tuneli karpal përmban nervin median dhe disa tendina që ndihmojnë në përkuljen e gishtërinjve. Pra, çdo herë që kjo hapësirë ngushtohet ose indet përreth enjtën, nervi shtypet dhe shfaqen simptomat.
Shenjat dhe simptomat
Simptomat zakonisht zhvillohen gradualisht dhe mund të përkeqësohen me kalimin e kohës:
- Dhimbje në kyçin e dorës, që mund të përhapet drejt parakrahut
- Mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash në gishtin e madh, dhe gishtat e tjerë të dorës
- Dobësi në dorë dhe vështirësi në kapjen e objekteve
- Rënie e shpeshtë e sendeve nga dora
Simptomave mund të përkeqësohen gjatë natës ose pas punës së përsëritur me dorë.
Në raste të avancuara, mund të ndodhë dobësim i muskujve të bazës së gishtit të madh.
Diagnoza
Diagnoza vendoset nga mjeku bazuar në historinë e sëmundjes dhe përshkrimin e simptomave, kohëzgjatjen dhe aktivitetet ditore.
Vizita mjekësore bazohet në teste specifike që bëhen nga mjeku (Testi Phalen, Testi Tinel).
Nëse nevojiten mund të kryhen ekzaminime shtesë si Elektromiografia (studimi i përçimit nervor), ekografia ose rezonanca magnetike në raste të veçanta.
Parandalim
Edhe pse jo gjithmonë e parandalueshme, rreziku mund të ulet duke:
- Shmangur lëvizjet e përsëritura të vazhdueshme
- Bërë pushime të shpeshta gjatë punës me tastierë ose mjete dore
- Mbahet kyçin e dorës në pozicion neutral ose duke përdorur pajisje stabilizuese të kyçit
- Kryhen ushtrime shtrirjeje për çmpirjen e duarve dhe kyçeve
- Duhen trajtuar në kohë sëmundjet shoqëruese (diabet, artrit, probleme hormonale)
Trajtimi
Trajtimi varet nga ashpërsia e simptomave.
Trajtimi pa operacion
I rekomanduar në fazat e hershme:
- Mbajtja e një mbajtëseje apo pajisjeje stabilizuese për kyçin, sidomos gjatë natës
- Mjekime apo barna anti-inflamatore
- Fizioterapi dhe ushtrime specifike
- Modifikimi i aktivitetit ditor
- Ndonjëherë injektimet lokale me kortikosteroide ndihmojnë
Trajtimi kirurgjikal
Rekomandohet kur:
- simptomat janë të rënda
- trajtimi konservativ nuk ka efekt
- ka dëmtim të përhershëm të nervit
Operacioni konsiston në çlirimin e tunelit karpal, duke ulur presionin mbi nervin median.
Është një ndërhyrje e sigurt dhe efektive.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
- Kur mpirja dhe dhimbja zgjasin për disa javë
- Kur simptomat përkeqësohen
- Kur shfaqet dobësi e dukshme e dorës
- Kur nuk mund të kryhen aktivitetet e përditshme, dhe simptomat ndodhin natën dhe prishin gjumin
Përfundim
Sindroma e tunelit karpal është një gjendje e shpeshtë, por me diagnozë dhe trajtim të hershëm, shumica e pacientëve përmirësohen ndjeshëm. Informimi dhe kujdesi i vazhdueshëm janë çelësi për parandalimin e komplikacioneve afatgjata.


