Çfarë është sindroma e tunelit karpal?

 

Sindroma e tunelit karpal ndodh kur nervi median, i cili kalon nëpër kyçin e dorës përmes një kanali të ngushtë shtypet. Çdo problem që shkakton ngushtimin e këtij kanali, që quhet tuneli karpal, ku kalon nervi shkakton këtë sindromë.

Ky nerv është përgjegjës për ndjeshmërinë dhe lëvizjen e disa gishtërinjve të dorës.

Tuneli karpal përmban nervin median dhe disa tendina që ndihmojnë në përkuljen e gishtërinjve. Pra, çdo herë që kjo hapësirë ngushtohet ose indet përreth enjtën, nervi shtypet dhe shfaqen simptomat.

 

Shenjat dhe simptomat

 

Simptomat zakonisht zhvillohen gradualisht dhe mund të përkeqësohen me kalimin e kohës:

  • Dhimbje në kyçin e dorës, që mund të përhapet drejt parakrahut
  • Mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash në gishtin e madh, dhe gishtat e tjerë të dorës
  • Dobësi në dorë dhe vështirësi në kapjen e objekteve
  • Rënie e shpeshtë e sendeve nga dora

Simptomave mund të përkeqësohen gjatë natës ose pas punës së përsëritur me dorë.

Në raste të avancuara, mund të ndodhë dobësim i muskujve të bazës së gishtit të madh.

 

Diagnoza

 

Diagnoza vendoset nga mjeku bazuar në historinë e sëmundjes dhe përshkrimin e simptomave, kohëzgjatjen dhe aktivitetet ditore.

Vizita mjekësore bazohet në teste specifike që bëhen nga mjeku (Testi Phalen, Testi Tinel).

Nëse nevojiten mund të kryhen ekzaminime shtesë si Elektromiografia (studimi i përçimit nervor), ekografia ose rezonanca magnetike në raste të veçanta.

 

Parandalim

 

Edhe pse jo gjithmonë e parandalueshme, rreziku mund të ulet duke:

  • Shmangur lëvizjet e përsëritura të vazhdueshme
  • Bërë pushime të shpeshta gjatë punës me tastierë ose mjete dore
  • Mbahet kyçin e dorës në pozicion neutral ose duke përdorur pajisje stabilizuese të kyçit
  • Kryhen ushtrime shtrirjeje për çmpirjen e duarve dhe kyçeve
  • Duhen trajtuar në kohë sëmundjet shoqëruese (diabet, artrit, probleme hormonale)

 

Trajtimi

 

Trajtimi varet nga ashpërsia e simptomave.

 

Trajtimi pa operacion

I rekomanduar në fazat e hershme:

  • Mbajtja e një mbajtëseje apo pajisjeje stabilizuese për kyçin, sidomos gjatë natës
  • Mjekime apo barna anti-inflamatore
  • Fizioterapi dhe ushtrime specifike
  • Modifikimi i aktivitetit ditor
  • Ndonjëherë injektimet lokale me kortikosteroide ndihmojnë

 

Trajtimi kirurgjikal

Rekomandohet kur:

  • simptomat janë të rënda
  • trajtimi konservativ nuk ka efekt
  • ka dëmtim të përhershëm të nervit

Operacioni konsiston në çlirimin e tunelit karpal, duke ulur presionin mbi nervin median.

Është një ndërhyrje e sigurt dhe efektive.

 

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

 

  • Kur mpirja dhe dhimbja zgjasin për disa javë
  • Kur simptomat përkeqësohen
  • Kur shfaqet dobësi e dukshme e dorës
  • Kur nuk mund të kryhen aktivitetet e përditshme, dhe simptomat ndodhin natën dhe prishin gjumin

 

Përfundim

 

Sindroma e tunelit karpal është një gjendje e shpeshtë, por me diagnozë dhe trajtim të hershëm, shumica e pacientëve përmirësohen ndjeshëm. Informimi dhe kujdesi i vazhdueshëm janë çelësi për parandalimin e komplikacioneve afatgjata.