Frakturat e parakrahut janë ndër dëmtimet më të shpeshta ortopedike tek fëmijët. Parakrahu përbëhet nga dy kocka, radiusi dhe ulna, dhe një frakturë mund të prekë njërën ose të dyja këto kocka.
Tek fëmijët, kockat kanë një aftësi të madhe për t’u shëruar dhe për të korrigjuar në një masë të caktuar deformimet gjatë rritjes. Për këtë arsye, shumë fraktura të parakrahut mund të trajtohen pa operacion. Megjithatë, disa fraktura kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale për të rikthyer pozicionin dhe stabilitetin e kockave.

 

Si ndodhin frakturat e parakrahut?

Frakturat mund të ndodhin gjatë:rrëzimit mbi dorën e shtrirë gjatë..

  • aktiviteteve sportive, apo lojërave dhe aktiviteteve në këndet e lojërave;
  • aksidenteve rrugore;
  • goditjet direkte apo rrëzimeve nga lartësia.

Tek fëmijët mund të shfaqen edhe fraktura karakteristike për kockat në rritje, si fraktura në formë të shkopit të gjelbër “greenstick”, ku kocka përkulet dhe çahet vetëm në njërën anë.

 

Shenjat dhe simptomat

Një fëmijë me frakturë të parakrahut mund të paraqesë:

Dhimbje, Ënjtje, Deformim, Vështirësi në lëvizje, Mavijosje (Mund të shfaqen nxirje ose ndryshim i ngjyrës së lëkurës rreth zonës së dëmtuar)

E rëndësishme: Nëse gishtat bëhen të zbehtë, blu ose shumë të ftohtë, nëse fëmija nuk mund t’i lëvizë gishtat ose ka mpirje të dorës, duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore.

 

Si vendoset diagnoza?

Diagnoza fillon me ekzaminimin klinik nga mjeku ortoped.

Mjeku kontrollon:

  • deformimin e parakrahut, ënjtjen, dhimbjen, lëvizshmërinë, ndjeshmërinë, lëvizjen e gishtave dhe qarkullimin e gjakut në dorë; Radiografia

Radiografia është ekzaminimi kryesor për diagnostikimin e frakturave të parakrahut.

Zakonisht realizohen radiografi në të paktën dy projeksione, në mënyrë që mjeku të vlerësojë:

vendndodhjen e frakturës, nëse është prekur radiusi, ulna apo të dyja, shkallën e zhvendosjes, këndimin ose rotacionin e kockës;

Në raste të veçanta, mund të nevojiten ekzaminime të tjera, por shumica e frakturave diagnostikohen me ekzaminim klinik dhe radiografi.

 

Trajtimi mund të jetë konservativ ose kirugjikal

Trajtimi konservativ

Shumë fraktura të parakrahut tek fëmijët trajtohen pa ndërhyrje kirurgjikale.

Trajtimi konservativ mund të përfshijë:

  1. Reduktimin e frakturës

Nëse kockat janë të zhvendosura, mjeku mund t’i rikthejë në pozicionin e duhur me një procedurë të quajtur reduktim.

Tek fëmijët, kjo mund të kryhet me anestezi ose sedacion, në varësi të moshës së fëmijës dhe llojit të frakturës.

  1. Imobilizimi

Pas vendosjes së kockave në pozicion të përshtatshëm, krahu mund të imobilizohet me allçi, apo ortozë ose mbajtëse, në raste të zgjedhura.

Qëllimi është të mbahet fraktura në pozicionin e duhur ndërsa kocka shërohet.

  1. Kontrollet radiografike

Në disa fraktura, veçanërisht ato që kanë qenë të zhvendosura, nevojiten radiografi kontrolli për të siguruar që kockat nuk janë zhvendosur përsëri.

Prindërit duhet të respektojnë kontrollet e planifikuara nga ortopedi.

 

Kur nevojitet trajtimi kirurgjikal?

Jo çdo frakturë ka nevojë për operacion.

Kirurgjia merret në konsideratë kur:

  • fraktura nuk mund të vendoset në pozicion të kënaqshëm;
  • kockat zhvendosen përsëri pas reduktimit;
  • ekziston deformim i rëndësishëm;
  • fraktura është e paqëndrueshme;
  • kemi frakturë të hapur;
  • ka dëmtim të enëve të gjakut ose nervave;
  • fraktura përfshin artikulacionin;
  • lloji dhe mosha e fëmijës bëjnë që trajtimi konservativ të mos jetë i përshtatshëm.

Vendimi për operacion merret individualisht, duke marrë parasysh moshën e fëmijës, lokalizimin e frakturës, zhvendosjen, stabilitetin dhe potencialin e rritjes së kockës.

 

Trajtimi kirurgjikal me shtiza

Një nga metodat më të përdorura tek fëmijët është fiksimi me shtiza metalike, veçanërisht me shtiza intramedulare elastike në raste të përshtatshme.

Në këtë procedurë, kocka vendoset në pozicionin e duhur dhe stabilizohet me materiale metalike me prerje relativisht të vogla.

Në varësi të llojit të fiksimit, shtizat mund të hiqen pas shërimit të frakturës, sipas vendimit të ortopedit.

 

Trajtimi kirurgjikal me pllaka dhe vida

Në disa raste përdoren pllaka dhe vida për të stabilizuar kockën.

Kjo metodë mund të përdoret në fraktura të caktuara, veçanërisht kur kërkohet një stabilitet më i madh ose kur metodat e tjera nuk janë të përshtatshme.

Pllaka vendoset mbi kockë dhe fiksohet me vida dhe mundëson stabilitet i lartë dhe mundësi për korrigjim të saktë të pozicionit të kockës.

 

Zgjedhja midis shtizave dhe pllakave nuk është një vendim që merret vetëm nga preferenca e pacientit. Ortopedi zgjedh metodën më të përshtatshme në bazë të karakteristikave të frakturës dhe fëmijës.

 

Sa kohë zgjat shërimi?

Fëmijët zakonisht shërohen më shpejt se të rriturit.

Koha e shërimit pergjithësisht është 3-4 jave por  varet nga:

  • mosha e fëmijës;
  • vendndodhja e frakturës;
  • lloji i frakturës;
  • zhvendosja;
  • mënyra e trajtimit;
  • gjendja e përgjithshme e fëmijës.

Edhe pasi radiografia tregon shërimin e kockës, mund të nevojitet pak kohë që fëmija të rifitojë plotësisht forcën dhe lëvizshmërinë.

 

Fizioterapia pas frakturës

Pas heqjes së allçisë ose pas fazës së parë të shërimit, fëmija mund të ketë: ngurtësi të kyçit të dorës. ngurtësi të bërrylit, vështirësi në rrotullimin e parakrahut, dobësi muskulare apo edhe frikë nga përdorimi i dorës.

 

Në shumë raste fëmijët rikthejnë lëvizshmërinë spontanisht dhe nuk kanë nevojë për një program të gjatë fizioterapie. Megjithatë, fizioterapia mund të rekomandohet kur ka kufizim të lëvizjes, dobësi ose rikuperim më të ngadaltë.

 

Pas shërimit të mjaftueshëm të frakturës mund të fillojnë ushtrime progresive për forcimin e muskujve.Fëmija duhet të rikthehet gradualisht në aktivitetet sportive dhe aktivitetet që mund të shkaktojnë një traumë të re.

Nuk rekomandohet që fëmija të fillojë sportet e kontaktit, ngjitjet, lojërat me rrezik rrëzimi ose aktivitetet e tjera të rrezikshme pa marrë më parë lejen e ortopedit.

 

Çfarë duhet të bëjnë prindërit gjatë trajtimit?

Prindërit duhet:

  • të mbajnë allçinë ose ortozën sipas udhëzimeve;
  • të mos lejojnë fëmijën ta heqë ose ta modifikojë vetë;
  • të ndjekin kontrollet e planifikuara;
  • të vëzhgojnë gishtat për ngjyrë, temperaturë dhe ndjeshmëri;
  • të ndjekin udhëzimet për aktivitetin fizik;
  • të respektojnë programin e ushtrimeve kur rekomandohet fizioterapia.

Nëse allçia laget, dëmtohet, bëhet shumë e ngushtë ose fëmija shfaq dhimbje të forta, mpirje, ndryshim të ngjyrës së gishtave apo pamundësi për t’i lëvizur, duhet kontaktuar menjëherë mjeku.

 

Përfundim

Frakturat e parakrahut janë shumë të zakonshme tek fëmijët dhe në shumicën e rasteve kanë një prognozë shumë të mirë. Trajtimi mund të jetë konservativ me reduktim dhe imobilizim, ose kirurgjikal me shtiza apo pllaka dhe vida, në varësi të karakteristikave të frakturës.

Qëllimi i trajtimit është të sigurohet shërimi i kockës, të ruhet funksioni i dorës dhe parakrahut dhe të minimizohet rreziku i deformimit ose kufizimit të lëvizjeve.

Me trajtimin e duhur dhe ndjekjen e rekomandimeve të ortopedit, shumica e fëmijëve rikthehen gradualisht në aktivitetet e tyre normale.